Ekipi nga Podujeva, KF Llapi ka pësuar disfatë në shtëpi ndaj kampiones në fuqi, Dritës, me rezultat 1-2, raporton Llapi.info.

Golin për Llapin e realizoi Valmir Veliu (9’), ndërkohë që ishte Almir Ajzeraj ai që barazoi për 1 me 1, kurse Ahmed Januzi shënoi auto-gol në portën e tij për t’i dhënë fitoren skuadrës së Ardian Nuhiut.

Pas humbjes së pësuar, ndihmës – trajneri i Llapit, Sunaj Keçi, ka akuzuar gjyqtarët e ndeshjes për mosrefrim të rregullt, derisa ka shtuar se nuk mund të luftohet ndaj 14 lojtarëve.

“Ne nuk mund të përballemi me 14 lojtarë, sepse edhe referat kanë qenë me Dritën sot. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj nesh, gjyqtarët po ofrojnë drejtësi selektive ku 6 ose 7 gjyqtarë që na vijnë çdo javë dhe bëjnë padrejtësi të madhe ndaj nesh”, deklaroi Keçi pas ndeshjes.

“Kjo çfarë ka ndodhur në “Zahir Pajaziti” është MARRE, TURP, KRIM!!! K.F. Llapi nuk mund të luaj ndaj 14 personave në fushë Goli i dytë i Llapit nga Kushtrim Shabani është gol i rregullt, si dhe penallti në pjesën e parë dhe të dytën të mos akorduar nga akteri kryesor i ndeshjes, Visar Kastrati(gjyqtar as për ligën e tretë)”, ka shkruar klubi në faqen zyrtare.

Edhe pas dhjetë xhirosh, Llapi i ka vetëm 5 pikë dhe radhitet në pozitën e parafundit, derisa Drita me këtë fitore arrin në kuotën e 19 sosh dhe pozicionet në vendin e dytë.

Në ndeshjen e radhës, Llapi luan në udhëtim tek Gjilani, e në anën tjetër, Drita i shkon në Trepçës ’89./Llapi.info