Klubi nga “Zahir Pajaziti”, KF Llapi ka mbyllur edhe zyrtarisht merkaton e kësaj vere, duke prezantuar sot transferimin e Ahmed Januzit dhe Ahmet Halitit, njofton Llapi.info.

Januzi dhe Haliti janë prezantuar sot në ambientet e klubit llapjan, gjersa kanë nënshkruar kontratë 1-vjeçare.

Sipas komunikatës së lëshuar nga klubi, me këto dy transferime edhe zyrtarisht ky klub e ka mbyllur këtë afat kalimtar veror.

“Me ardhjen e Ahmed Januzit dhe Ahmet Halitit, KF Llapi edhe zyrtarisht e ka përfunduar merkaton verore dhe tashmë ndihet e kompletuar dhe e sigurt para fillimit të edicionit të ri të Superligës. Dyshja, Januzi e Haliti në edicionin e fundit ishin pjesë e Prishtinës, me të cilën arritën të fitonin Kupën e Kosovës dhe nga sot edhe zyrtarisht do jenë pjesë e Llapit, ku që të dy nënshkruan kontratë 1 vjeçare me klubin. Të dy futbollistët ishin të piketuar nga Shefi i shtabit teknik, Tahir Batatina, i cili në projektin madhor të Llapit, Januzin e Halitin i shihte të domosdoshëm për skuadrën. Por këtë mision e bënë të mundur, vëllezërit dhe donatorët kryesor të klubit. Presidenti, Beqir Batatina, zv. Presidenti, Amrush Batatina dhe Drejtori ekzekutiv, Bejtush Batatina, në koordinim me Shefin e shtabit teknik, arritën që ta sjellin në klub dy futbollistë të njohur për cilësitë dhe përvojën e madhe që kanë mbi supe”, thuhet në njoftim.

“Ahmed Januzi është i njohur për llapjanët. Sulmuesi i qendrës, Januzi ishte golashënuesi më i mirë i Llapit ku kishte arritur të realizonte 13 gola dhe 5 asistime gjatë edicionit 2018/19, Në edicionin e fundit Januzi ishte pjesë e Prishtinës, me të cilën arriti të fitonte Kupën e Kosovës, duke qenë kyç edhe në këtë skuadër, pasi ishte golashënuesi më i mirë i saj, me 15 gola e 6 herë asistues. Januzi ka përvojë të madhe në futbollin kosovar dhe atë ndërkombëtar pasi numëron mbi 169 paraqitje për Vorskla Poltava (28 gola) si dhe ka vishur edhe fanellën e Besës së Kavajës në Shqipëri, nga e cila skuadër kishte kaluar tek Vorskla Poltava në Ukrainë. Ahmet Haliti është lojtar kampion. Përvoja e tij e madhe dhe stabiliteti që i jep mbrojtjes kur luan, e bëjnë atë ndër qendërmbrojtësit më të mirë në vend. Ai rikthehet në vendlindje, të jap kontributin e tij drejt ambicieve madhore që ka klubi këtë edicion! Haliti është paraqitur me mjaft sukses në skuadrat elitare në Kosovë e Shqipëri. Ka qenë pjesë e KF Besianës, KF Hysit, KS Besa e Kavajës, FC Hajvalia, FK Bylis Ballsh, FC Feronikeli e së fundmi tek FC Prishtina, me të cilën fitoi Kupën e Kosovës në dy edicione 2017/18 dhe 2019/20”, përfundon njoftimi i klubit.

Duhet potencuar se krahas prurjeve të reja, nga klubi llapjan janë larguar një numër i madh i lojtarëve./Llapi.info