Faza e tretë e IPKO Superligës së Kosovës në futboll nis sot, shkruan Llapi.info

Llapi pret Ballkanin në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”, ndeshje kjo e cila luhet me fillim nga ora 14:00. Në këtë përballje, të dyja ekipet synojnë fitore, derisa Llapi lufton për titull e Ballkani që kërkon pikë në Podujevë me qëllim që t’i shpëtojë rënies.

Të dyja skuadrat janë përballur dy herë gjatë këtij edicioni, të dyja ekipet shënuan nga një fitore si mysafire.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Suharekë llapjanët triumfuan me rezultat 3-0, ndërsa Llapi në xhiron e 13-të u befasua në shtëpi duke u mposhtur minimalisht 1-0.

Ballkani dhe Llapi (Foto: Facebook/K.F. Llapi)

Llapi në këtë ndeshje hyn pas fitores kundër Trepçës ’89, teksa suharekasit barazuan me Flamurtarin.

Pas 22 javëve Llapi numëron 47 pikë në vend të tretë, aq sa ka edhe Prishtina në vend të dytë, kurse Ballkani gjendet në pozitën e nëntë me 28 pikë të tubuara./Llapi.info