Klubi nga Zahir Pajaziti ka paralajmëruar tërheqjen nga garat në Superligë, pas disfatës së pësuar sot nga Drita, ndeshje kjo që u përcoll me akuza për referim, raporton Llapi.info.
Në një komunikatë për medie, klubi llapjan ka njoftuar se do të mbajë sot mbledhje, me ç’rast do të diskutohet edhe shqyrtimi i vazhdimit të garave.
“Kryesia e K.F. Llapi mbledhet sonte urgjentisht dhe do të shqyrtoj seriozisht vazhdimin e garave. Edhe pse po ndihemi keq si Kryesi dhe si familje që kemi investuar shumë në futbollin llapjan por ne nuk mund të vazhdojmë më me këtë tendencë ndaj klubit tonë, Llapit. E dhimbshme të rikthehemi në Ligën e Parë por ne nuk mundemi më, ne do të vazhdojmë të investojmë në futboll por jo në këtë kohë që për kundërshtarë në fushën e lojës kemi këso gjyqtarë që shkelin mbi djersën e futbollistëve dhe mundin e shpenzimet marramendëse të donatorëve”, thuhet në komunikatën për shtyp.
Ekipi nga Podujeva, KF Llapi ka pësuar disfatë në shtëpi ndaj kampiones në fuqi, Dritës, me rezultat 1-2.
Golin për Llapin e realizoi Valmir Veliu (9’), ndërkohë që ishte Almir Ajzeraj ai që barazoi për 1 me 1, kurse Ahmed Januzi shënoi auto-gol në portën e tij për t’i dhënë fitoren skuadrës së Ardian Nuhiut.
Pas dhjetë xhirosh, Llapi i ka vetëm 5 pikë dhe radhitet në pozitën e parafundit./Llapi.info