Sot zhvillohen katër ndeshje të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll, xhiro kjo që takon Llapin dhe Flamurtarin, njofton Llapi.info.

Ky duel i një rëndësie të madhe në luftën për mbijetesë pritet të nisë me fillim nga ora 17:00 në stadiumin e qytetit të Podujevës.

Të dyja ekipet që radhiten në mesin e tabelës kanë për synim vetëm në këtë takim, arkëtimin e pikëve të plota.

Skuadra nga Podujeva dhe ajo nga Prishtina gjatë këtij edicioni janë përballur dy herë, gjersa të dyja ekipet kanë shënuar nga një fitore.

Në këtë sfidë ekipi i Tahir Batatinës hynë pas disfatës së thellë të pësuar nga Ballkani, kurse Flamurtari mposhti Dukagjinin.

Llapi është i shtati në tabelë me 39 pikë, vetëm katër më shumë se Trepça ’89 që zë vendin e nëntë, pozitë kjo që dërgon në një rang më të ulët të garave në edicionin e ri. Ndërkaq, kuq e zinjtë nga Prishtina radhiten një pozitë më lartë se llapjanët me 40 pikë të tubuara.

Ky duel do të gjykohet nga gjyqtari Selim Isufi me ndihmësit Elvis Bicaj dhe Driton Preniqi./Llapi.info