Skuadra nga Podujeva nuk e ka gjetur fitoren as në xhiron e tretë të Superligës së Kosovës, pasi sot është mposhtur nga Feronikeli me rezultat 0-2, raporton Llapi.info.

Pjesa e parë e zhvilluar në Merdar ishte më e balancuar, me disa raste shënimi për të dyja skuadrat.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, mysafirët nga Drenasi kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Dren Gashi, i cili realizoi me kokë nga një pozitë e largët.

Me rezultatin 0-1 në të mirë të Niklit u mbyll pjesa e parë në Podujevë.

Edhe në të dytën, ishin mysafirët që shënuan përsëri në portën e llapjanëve. Kur po zhvillohej minuta e 65’, Diar Prokshi realizoi për 0-2.

Deri në fund të ndeshjes të dyja ekipet patën disa raste shënimi, mirëpo që epilogu përfundimtar mbeti 0-2 në të mirë të Feronikelit.

Me këtë humbje, Llapi vazhdon t’i ketë vetëm dy pikë dhe radhitet në pozitën e shtatë, kurse “Nikli” me këtë fitore kalon në pozitën e gjashtë me tre pikë të grumbulluara.

Edhe në xhiron e radhës, ekipi nga Podujeva do ta luajë në shtëpi ku pret Malishevën, ndërkohë që Feronikeli pret Dukagjinin./Llapi.info