Ekipin nga Podujeva, KF Llapi, ka pësuar humbje në shtëpi nga Prishtina me rezultat 1-3, në kuadër të xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.

Skuadra nga kryeqyteti arriti të kalojë e para në epërsi pas 15 minutave lojë. Ishte Gauthier Mankenda ai i cili realizoi për 1-0. Epërsia e mysafirëve zgjati vetëm tre minuta, pasi Adonis Aliu barazoi shifrat në 1-1.

Krejt në fund të pjesës së parë, prishtinasit arritën të shkojnë në pushim me epërsi prej një goli. Leotrim Bekteshi realizoi për 1-2 në minutën e 40’.

Edhe në pjesën e dytë, mysafirët nga Prishtina ishin më këmbëngulës, duke rrezikuar disa herë portën e llapjanëve. Në minutën e 60’ Oto John ngriti shifrat në 1-3, rezultat me të cilin edhe u mbyll ndeshja në “Zahir Pajaziti”.

Me këtë humbje, Llapi vazhdon t’i ketë 39 pikë të tubuara dhe radhitet në pozitën e pestë, ndërsa Prishtina ka 69 sosh në vendin e parë.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon Drenicës, kurse Prishtina pret në “Fadil Vokrri” Besën./Llapi.info