Llapi ka arritur të shënojë fitore në shtëpi ndaj Trepçës ’89 me rezultat 2-1, raporton Llapi.info.

Ndeshja nisi mirë për mysafirët që shënuan të parët për 1-0 qysh në minutat e parë, me anë të Muharrem Jasharit. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”, përkundër që të dyja skuadrat patën disa raste shënimi.

Në 45-minutëshin e dytë, djelmoshat e Tahir Batatinës ishin më të vëmendshëm, duke përmbysur rezultatin e mitrovicasve.

Fillimisht Ardit Poposhi barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 49’, i cili realizoi pas një harkimi të Arbnor Ramadanit brenda zonës.

Për rezultatin final 2-1 u përkujdes Valmir Veliu, duke realizuar gol në minutën e 60’, për t’i rrëmbyer tri pikë të plota në këtë takim mjaft të rëndësishëm.

Pas kësaj fitoreje, Llapi tash i ka 39 pikë në pozitën e pestë, ndërkohë që Trepça ’89 ka 35 sosh në vendin e shtatë.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon Ballkanit, kurse Trepça 89’ pret Prishtinën./Llapi.info