Klubi Futbollistik Llapi ka demantuar shkrimet në rrjetet sociale dhe në veçanti në faqen zyrtare “Legjendat” teksa thuhet se drejtuesit e klubit llapjan u kanë ndaluar hyrjen në stadium tifo grupit zyrtar që mbështet ekipin.

KF Llapi përmes një komunikate i kanë quajtur të pavërteta të gjithë ato shkrime.

“Nuk është e mirë të hapen kësi lloj dezinformatash sepse ne si kryesi, lojtarë dhe tifozë jemi të lidhur njëri me tjetrin dhe ka ardhur koha që edhe femrat të jenë ndjekëse të klubit dhe pse mos tu lëmë atyre një imazh të një tifozerie të kulturuar. Pra, ato shkrime nuk janë të vërteta, duhet të bëhemi të sjellshëm e të kulturuar se e përfaqësojmë Llapin dhe gjithë Podujevën”, thuhet në komunikatë.

Më tej kanë kërkuar që tifozët në stadium të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre, pasi veprimet e pandërgjegjshme u kishin kushtuar klubet llapjan me dënime nga disiplinori.

“Të gjithë jemi të vetëdishëm se futbolli luhet për publik dhe ju si tifozë jeni pjesë e rëndësishme e Llapit por të krijohet atmosferë dhe tifozëllëk i kulturuar sepse hyrja në fushë dhe fyerjet nuk i takojnë tifozerisë së vërtetë që e dojnë klubin sepse shkaku i atyre gjesteve të pahijshme siç edhe jeni të informuar u dënuam me dy ndeshje pa praninë e shikuesve.

“Por duhet ta dimë se Llapin e përcjellin edhe gjinia femërore, t’iu krijojmë hapësirë edhe atyre që ta ndjekin çdo ndeshje duke mos fyerë por të krijoni atmosferë të civilizuar përndryshe nëse silleni sikur sezonin që lamë pas e rrezikoni stadiumin, e rrezikoni klubin me marrjen e pikëve në tavolinë si dhe e rrezikoni edhe të luaj pa publik në numër të caktuar ndeshjesh”, thuhet në komunikatë./Llapi.info