Sot zhvillohet finalja e madhe e Kupës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.

Dueli mes dy finalistëve, Llapit dhe Dukagjinit, pritet të nis nga ora 20:45 në stadiumin e kryeqytetit “Fadil Vokrri”.

Llapi në këtë ndeshje kërkon medoemos fitore që i siguron ekipit nga Podujeva daljen në Evropë, derisa të njëjtin synim e kanë edhe dukagjinasit. Me triumfin në Kupën e Kosovës, Llapi automatikisht do të siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, garë e re e themeluar nga UEFA, që do të zhvillohet prej edicionit të ardhshëm.

Për Llapin kjo është finalja e dytë në Kupën e Kosovës. Të parën, atë të vitit 2018, Llapi e pati humbur nga Besa e Pejës. Skuadra nga “Zahir Pajaziti” deri në finale ka eliminuar Onixin, Ballkanin, Trepçën ’89 dhe Prishtinën.

Në anën tjetër, Dukagjini ishte më i suksesshëm se Vllaznia e Pozheranit, 2 Korriku, Drenica dhe Istogu, ekip këtë të fundit që eliminoi vetëm me një ndeshje, kurse tjetrën e fitoi në tavolinë, për shkak të një lëshimi të Istogut./Llapi.info