Pagesa prej 3 euro nga qytetarët e Podujevës për kërkesën e legalizimit të objekteve duket se e ka prekur edhe këshilltarin e PDK-së, Rafet Llapashticën.

Ai në mbledhjen e kuvendit të mbajtur sot tha se komuna e Podujevës është e vetmja komunë e cila u ka marrë qytetarëve të saj nga 3 euro për legalizimin e objekteve.

“Legalizimi i objekteve është një projekt që e ka financuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në asnjë komunë qytetarët nuk kanë paguar për kërkesë. E vetmja është komuna e Podujevës e cila u ka marrë nga 3 euro për kërkesë për legalizimin e objekteve, para të cilat nuk dihet se ku kanë shkuar, ose janë derdhur në buxhetin e komunës, ose në ndonjë kacë të komunës. Nuk e di kush e ka dhënë këtë vendim”, ka thënë Llapashtica.

Ndërsa, Durim Salihu, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, tha se arsyet janë të shumta pse komuna u ka marrë nga 3 euro qytetarëve.

“Për qështjen e legalizimit të objektve dhe taksës prej 3 euro, arsyet janë të shumta. Çështja e sistemit ka qenë e tillë. Kemi kërkuar nga ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Mbrojtjes së Mjedisit të na përkrah në buxhet, por ajo nuk na ka përkrahur. Të gjitha kërkesat për legalizim janë protokoluar, sepse unë kam marrë vendim që të gjitha ato kërkesa të protokolohen dhe ato mjete do u kthehen në fazën e dytë të gjithë atyre që kanë paguar 3 euro në fazën e parë”, ka thënë Salihu.

Portali “Llapi.info” muaj më parë kishte raportuar në lidhje me këtë çështje, që komuna e Podujevës po i plaçkiste qytetarët e saj, duke u’a marrë nga 3 euro taksë për kërkesën e legalizimit të objekteve. Në fillim drejtori i DPUMM, Durim Salihu, përmes telefonit i kishte thënë portalit “Llapi.info” se kjo nuk është kompetencë e tij. Më vonë, pas raportimit, taksa është hequr, dhe Durim Salihu kishte thënë se kjo ishte një gabim që është bërë, por kjo shumë do u kompenzohet në fazën e dytë të legalizimit gjithë atyrë që kanë paguar 3 euro për kërkesën e legalizimit të objekteve./llapi.info