Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, takoi edhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Limaj pas takimit, në një prononcim para mediave, tha se nga presidenti Thaçi ka kërkuar shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Presidenti e dëgjoi mendimin tonë se si duhet të ecim e cili është qëndrimi i Nismës në këtë situatë. Mbi të gjitha duhet të respektohet çdo procedurë e Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ne kërkuam nga presidenti që pikë për pikë të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe hapat që duhet ndjekur për situatën në të cilën jemi”, tha Limaj, raporton KOHA.

Sipas tij, “Në këtë situatë Nisma beson që Presidenti duhet kujdesshëm të shikojë mundësinë që të shmang zgjedhjet e parakohshme”.

“Duhet të kemi parasysh që të ruajmë kompetencën e secilit institucion veç e veç. Presidenti dhe Qeveria duhet ta kuptojnë që Parlamenti është institucioni më i lartë. Askush e për asgjë nuk mund të uzurpojë kompetencat e parlamentit të Kosovës. Në asnjë rast deri më tani për sa është Kosova Republikë e pavarur asnjëherë presidenti nuk e ka shpërndarë Kuvendin por e ka shpërndarë shumica e deputetëve të Kuvendit, vullneti i deputetëve. Presidenti nuk ka hapësirë me shpërnda Kuvendin e Kosovës pa pas vullnetin e partive politike”, tha tutje Limaj.

Limaj, gjithashtu tha se “Është rrezik me i dhënë presidentit kompetencë me shpërnda Kuvendin”.

“Ne jemi republikë parlamentare e jo presidenciale. Nisma është e gatshme për të dhënë kontributin në shmangien e zgjedhjeve dhe funksionimin e një qeverie por ne i kemi kushtet tona që kur te vije puna te formimi i qeverisë do ti shpalosim”, tha Limaj.