Xhemail Hasani edhe zyrtarisht është kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës nga partia e Nismës Socialdemokrate, raporton Llapi.info.

Zyrtarizimin e tij e ka bërë sot kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, i cili bashkë me anëtarë tjerë të kryesisë qendrore, sot kanë takuar strukturën e re të degës së Nismës në Podujevë, të drejtuar nga kryetari i degës, Xhemajl Hasani.

“Në këtë takim, temë kyçe e diskutimit ishin përgatitjet për zgjedhjet lokale 2021, më ç’rast me propozim të degës, Xhemajl Hasani, është zyrtarizuar si kandidat për kryetar të Podujevës, në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Po ashtu, gjatë këtij takimi pune, Limaj, e ka informuar strukturën e Nismës në Podujevë për zhvillimet politike në vend, si dhe ka kërkuar nga socialdemokratët në Podujevë që të angazhohen maksimalisht në mbështetje të kandidaturës së Xhemajl Hasanit dhe gjithë kandidatëve të Nismës për asamble komunale në këtë qytet”, thuhet në njoftimin e partisë.

Deri më tani, kandidaturat në Llap i kanë bërë zyrtare Lidhja Demokratike e Kosovës me Ekrem Hysenin, AAK me Besnik Tahirin, Nisma Socialdemokrate me Xhemail Hasani dhe Gazmend Islami nga Balli Kombëtar.

Kurse, në një intervistë, kryetari i tanishëm, Shpejtim Bulliqi ka thënë se do t’i hyjë sërish garës për të parin e Podujevës nga VV, ndërkohë që PDK-ja është në proces të përzgjedhjes së një kandidati.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës ka caktuar 17 tetorin 2021, datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale./Llapi.info

May be an image of 13 people