Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Jakup Krasniqi i ftuar nga Gjykata Speciale, edhe kësaj radhe do ta mbrojë luftën e UÇK-së.

Limaj theksuar se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfide, derisa ka paralajmëruar fitore përballë shpifjeve ndaj luftëtarëve të UÇK-së.

Këto komente Limaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi Jakup Krasniqi tregoi se është ftuar nga Specialja.


“Ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën tonë të drejtë. Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj nuk kemi alternativë, pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës! Kam bindjen e fortë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë perballë shpifjeve”, ka shkruar Limaj.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtar dhe zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka marrë ftesë për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Vetë Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se është ftuar që më 24 korrik të paraqitet për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.