Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj thotë se misioni i EULEX-it në Kosovë ka bërë shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut dhe askush nuk ka folur për këtë.

“Ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut. Hetimet në Ministrinë e Transportit kanë pasur qëllimin që me kalua në krimet e luftës. Krejt procesi tregon se veprimet e Ministrisë kanë qenë me shkatërrua autoritetin tim që kur të veprohet në krimet e luftës mos t’i dhimbsem askujt”, ka thënë Limaj në “Debat Plus”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se hetimet në Ministrinë e Transportit në kohën sa ai ishte ministër, kanë pasur për qëllim të vetëm shkatërrimin e autoritetit të tij, në mënyrë që në proceset gjyqësore për krime lufte të mos i dhimbset askujt.

Limaj thotë se një prokuror francez i ka kërkuar atij të bind deputetët e tjerë që të votojnë për t’ia hequr imunitetin në Kuvend.

“Unë iu kam thënë se nuk fshihem pas imunitetit dhe kam hequr dorë nga ai moment”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i NISMËS thotë se ishte target shumë i dëshiruar për t’u goditur nga ish shefi i EULEX-it, Iv de Cermabo.

“Isha njeriu i dytë i PDK-së, njeri i kthyer nga Haga, ministër i suksesshëm. Për atë arsye isha target i dëshiruar”.

Limaj thotë se EULEX-i pa urdhër gjykate i ka shkuar në shtëpi.

“Më erdhën pa urdhër gjykate në shtëpi. Ata kishin pasur target dy institucione tjera për t’i bastisur por Brenda ditës ndryshuan plan dhe erdhën te unë”.

Limaj komentoi edhe raportimin e Ish-kryetarit të asamblesë së gjyqtarëve të EULEXI-it, Malclom Simmons, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Për herë të parë Simmons nuk ka dhënë opinione dhe intervista, por iu ka drejtuar institucionit më të lartë në Kosovë dhe ka dhënë dëshmi. Dëshmi e cila është e dëshmuar dhe e transkriptuar nga Kuvendi i Kosovës. Institucionet e Kosovës tashmë e kanë një dëshmi nga ish-kryetari i gjyqtarëve te EULEX-it, i cili i konfirmon ato që i ka thënë në të kaluarën dhe i thotë edhe disa çështje më shumë se çka ka thënë deri më tani”, tha ai në Debat Plus të Dukagjinit.

Limaj shtoi se dëshmia e Simmons është fakti më i mirë që misioni i EULEX-it ka bërë veprime kundër ish-krerëve të UÇK-së./Telegrafi/