Foto ilustrim

I shtrirë në rrugë dhe pa shenja jete u gjet dje I.S. 49 vjeçar, në fshatin Kuzhnin të Prizrenit. Përveç lëndimeve trupore e shenjave të dhunës dyshohet se në trupin e viktimës u shkrepën edhe disa plumba. Deri më tani askush nuk është arrestuar për këtë rast. Prokuroria dhe Policia japin detaje të reja për Gazetën Express

Pas marrjes së informacionit se I.S. (emër i njohur për redaksinë), 49 vjeçar, ndodhej i shtrirë në rrugë, ekipi mjekësor që kishte dalë në vendin e ngjarjes konstatoi se viktima është pa shenja jete.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, tha se rasti në fjalë po hetohet nga organet e hetuesisë dhe deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar.

“Ne jemi tu u marrë me rastin, tu grumbullu informacionet e nevojshme nuk ka ende diçka konkrete. Trupi i viktimës është dërguar në autopisi. Policia është në fazën e grumbullimit të informacioneve, jemi në hapat fillestar të hetimeve. Viktima është rreth 49-50 vjeç”, tha Shala për Gazetën Express.

Mësohet se viktima ka pasur plagë në këmbë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Por, Prokuroria po pret edhe vendimin e mjekësisë ligjore.

Edhe zyrtari për informim në Policinë e Prizrenit, Vesel Gashi, tha se ekipi mjekësor ka dyshuar që në trupin e viktimës ka pasur plagë më armë zjarri.

“Por pa dalë vendimi i mjekësisë ligjore nuk mund të flasim”, tha Gashi për Gazetën Express.

Njoftimi për këtë vrasje u dha sot nëpërmjet raportit 24 orësh të policisë:

“Fshati Kuzhnin-Has, Prizren 20.12.2018-18:02. Raportohet se në rrugë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull K-Shqiptar. I njëjti është dërguar në emergjencë, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, njoftoi policia përmes raportit 24 orësh