Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e 37-të të mbajtur mbrëmë ka vendosur masat e reja të zbatimit gradual të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për reciprocitetin parasheh që: Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që: përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, përmbajnë emra të vendeve në Republikën e Kosovës, por nuk përmbajnë emrin e shtetit, i referohen Republikës së Kosovës përveçse me emrin Republika e Kosovës ose përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë ose sovranitetin e Republikës së Kosovës ose trajton Republikën e Kosovës si të pabarabartë, njofton Klan Kosova

Mirëpo kjo gjë nuk i ka pëlqyer nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Kjo sipas Lekajt mund të dëmtojë edhe më tutje marrëdhëniet e vendit me SHBA-të.

“Heqja e taksës pa kushte dhe tani kinse vendosja e reciprocitetit s’është gjë tjetër veç mashtrimi i tij i fundit dhe avancimi i tij për të dëmtuar aleancën tonë me Amerikën dhe interesat tona të përbashkëta”, deklaroi Lekaj për Klan Kosova.