Lekaj premton përmirësime në infrastrukturën rrugore në Kaçanik, Obiliq e Han të Elezit

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj vizitoi komunën e Kaçanikut, atë të Obiliqit dhe Hanin e Elezit.

Në Kaçanik u prit nga kryetari i kësaj komune Besim Ilazi.

Në këtë takim u bisedua për vazhdimin projekteve të cilat janë duke u realizuar në këtë komunë si dhe tejkalimin e pengesave të cilat janë paraqitur si dhe projektet që do të kryhen në të ardhmen.

Gjatë këtij takimi ministri Lekaj theksoi se do t’i përkrahë projektet e infrastrukturës rrugore të komunës së Kaçanikut.

Pas këtij takimi ministri Lekaj e vizitoi edhe fshatin Kovaçe, në pjesën ku ka rrëshqitur toka pas punimeve që janë duke u zhvilluar për ndërtimin e Autostradës “Arbër Xhaferi”.

Në komunën e Obiliqit, dhe prit nga kryetari Xhafer Gashi.

Në këtë takim u bisedua për projektet rrugore të kësaj komune të cilat do të realizohen në të​ ardhmen.

Pas këtij takimi, Lekaj tha: “Sot jam te kryetari i Obiliqit, kryetari më i vendosur dhe më kërkues, për projektet. Unë e përgëzoj për punën që e ka bërë gjatë mandatit të tij si kryetar duke realizuar me sukses projekte të shumta që kanë pasur impakt pozitiv për qytetarët e kësaj komune.

“Ne si Ministri e Infrastrukturës jemi të gatshëm që të përkrahim projektet rrugore të Obiliqit në vlerë deri në 3 milionë euro. E sigurova kryetarin se ministria jonë do të përkrahë projektet e kësaj komune të cilat janë në të mirë të qytetarëve. Ne do të jemi mbështetës tuaj”, tha ai.

Ndërsa kryetari Gashi e falenderoi ministrin Lekaj, për këtë vizitë. “Ne bashkëbiseduam me ministrin Lekaj për problemet e infrastrukturës rrugore të komunës sonë. Ministrin Lekaj e njoftova edhe me problemin që është në magjistralen M2 lidhur me ndriçimin e kësaj pjese si dhe për problemet e zhurmës që krijohen nga autostrada. Po ashtu e njoftova edhe me gjendjen e rrugëve se ku është e domosdoshme që të investohet”.

Pas këtij takimi ministri Leka dhe kryetari Gashi inspektuan punimet në urën fshatit Plemetin dhe rrugën që lidhë fshatrat Palaj-Grabovc.

Në kuadër të vizitave që po iu bënë komunave ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj e vizitoi edhe komunën e Hanit të Elezit, që u prit nga kryetari i kësaj komune Rufki Suma.

Kryetari Suma e njohu nga afër me projektet që janë duke u realizuar në këtë komunë siç është projekti Glloboçicë-Gorancë si dhe projektet që duhet të realizohen në këtë komunë.

Ndërsa, ministri Lekaj theksoi se do të ndihmojë komunat në përmirësimin e infrastrukturës rrugore brenda mundësive që i lejon buxheti i ministrisë, duke e përfshirë edhe sinjalizimin e rrugëve dhe projekte të tjera infrastrukturore, në kuadër të kësaj hynë edhe ndërtimi i rrugëve në komunën e Hanit të Elezit.

Ministri Lekaj dhe kryetari Suma, panë afër rrugën e Glloboçicës, në pjesën ku po ndodhë shembja dheut. Me këtë rast ministri Lekaj vlerësoi se do të gjendet forma se si të sanohet sa më parë kjo pjesë e kësaj rruge.​