Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, me bashkëpunëtor, i shoqëruar nga drejtori i Urbanizmit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha, sot kanë vizituar fillimin e asfaltimit të segmenti i katërt të zgjerimit të rrugës Rajonale, Prishtinë – Podujevë. Ky segment ka gjatësi prej 1.4 kilometra, njofton Llapi.info.

Me këtë rast, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka kërkuar falje të gjithë qytetarët për punimet në këtë rrugë, duke shtuar se ka pasur pengesa.

“Jemi për disa herë këtu në Podujevë në këtë segment, që po e bëjmë një punë të mirë. Ne si Ministri e Infrastrukturës jemi të vendosur që projektet e filluara të përfundojnë me kohë. Ajo që na intereson është që ne të mos e humbim standardin dhe kualitetin e rrugëve, por mund të kemi edhe pengesa në punime e që unë kërkoj falje për të gjithë qytetarët e Podujevës dhe ata që e kanë frekuentuar këtë rrugë, por pa dashje dhe ngjyrime politike ne jemi këtu që t’i gëzohemi së bashku këtij projekti”, ka thënë Lekaj.

Sipas Lekajt, kontrata për këtë rrugë është e paraparë të përfundojë vitin e ardhshëm.

“Ky segment prej 1.4 kilometra dhe mendoj që do të përfundoj brenda këtij muaji dhe kështu t’iu ofrojmë një lëvizje të cilën e donë qytetarët”, ka thënë më tej ministri, Pal Lekaj.

Në fillimin e asfaltimit për këtë segment në emër të kryetarit të Podujevës, Agim Veliu i cili gjendet jashtë shtetit, ishte drejtori i Urbanizmit, Hamdi Jaha.

Jaha përpara medieve ka falënderuar ministrin për angazhimin duke u shprehur që ky segment të përfundoj me hapa të shpejtë.

“Sot, ka filluar segmenti i dytë me u asfaltu, duke e ditur zërat e qytetarëve kanë qenë negativ. Ne sot po iu tregojmë se Ministria është e zëshme edhe në punë. Të vazhdojmë me segmentin tjetër duke mos u ndalur punimet”, ka shtuar Jaha.

Ndryshe, punimet në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik, me gjatësi prej katër kilometrave, kanë filluar në maj të këtij viti./Llapi.info