Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, të hënën mori pjesë në takimin e dytë të Këshillit Ministror të Komunitetit të Transportit. Me këtë rast Lekaj i njoftoi anëtarët e tjerë për ratifikimin e Traktatit të Komunitetit të Transportit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe zbatimin e saj nga autoritetet vendase.

Krahas kësaj, Lekaj informoi përfaqësuesit e shteteve të tjera në këtë takim për pengesat që Serbia po i bën përkundër marrëveshjeve siç është ky traktat. Në mes tjerash, ministri Lekaj theksoi se praktikat e autoriteteve serbe për ndërrimin e targave të qytetarëve të Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, mospranimi i certifikatave që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, duhet të ndërpriten menjëherë.

Lekaj po ashtu kërkoi nga Komisioni Evropian, që të ndërmarrë masa urgjente për rregullimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave për operatorët kosovarë, me të gjitha shtetet nënshkruese të Traktatit. Gjithashtu u diskutua për krijimin e lehtësirave në pikëkalimet kufitare dhe sigurinë në rrugë, të cilat burojnë nga deklaratat e Lubjanës, si dhe u miratua Deklarata e Përbashkët për një Strategji të re Hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, e cila ka për synim përmirësimin e shërbimeve të transportit ndërkombëtar hekurudhor për mallra dhe pasagjerë, brenda dhe përgjatë Ballkanit Perëndimor, njofton Ministria e Infrastrukturës.