Kandidati për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se partisë së AAK-së në këtë Komunë i është bashkuar edhe një anëtar i ri, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se Egzon Bejta i është bashkuar kësaj partie, derisa ka bërë të ditur se Bejta deri tani ka qenë anëtar dhe kryetar i nëndegës së qytetit nga radhët e LDK-së.

“Sot, Egzon Bejta, iu bashkua edhe zyrtarisht ekipit tim në garën për kryetar të Podujevës. Egzoni, me profesion është Ekonomist i diplomuar, edhe pse i ri në moshë, ai ka një përvojë të madhe në politikë.  Që nga mosha 18-vjeçare ka qenë i angazhuar në politikë, së fundi ishte anëtar i kryesisë së degës së LDK-së dhe kryetar i nëndegës së dytë të qytetit. Egzoni, është një profesionist i ri ambicioz, ka mbi dhjetë certifikime dhe trajnime në fushën e politikës, menaxhimit dhe lidershipit nga organizata ndërkombëtare dhe vendore. Synimi i tij është që Llapit t’i kthehet nami që e ka pasur, ndërsa komuna të qeveriset me të rinj, derisa qyteti i Podujevës të jetë zonë urbane e evropiane”, ka shkruar ai.

“Egzoni vjen nga një familje shumë e respektuar, që gjeneratë pas gjenerate ka dhënë shumë për qytetin dhe gjithë vendin. Egzoni, do të jetë kandidat për asamble komunale”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, zgjedhjet lokale pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti./Llapi.info