Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se 100 ditshi i Qeverisë Kurti, solli ndryshim por jo një mënyrë të re të qeverisjes.

Ajo tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje performancën e qeverisë Kurti gjatë këtyre 100 ditëve dhe tha se ka pasur ikje përgjegjësie dhe program të gjeneralizuar dhe të zbrazët, njofton Klankosova.tv.

“Është e vërtetë që 100 ditshi solli ndryshim por jo të një mënyre të re të qeverisjes ashtu siç u proklamua por të të gjitha qëndrimeve të cilat janë vështirë të numërohen. 100 ditë ikje përgjegjësie, program i gjeneralizuar i zbrazët”, tha ajo në një konferencë për media.

Ndër të tjera, nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi tha se Qeveria dështoi edhe më dialogun Kosovë-Serbi dhe se Kurti theu gjitha kauzat e tij në takimin e parë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kritika pati edhe për menaxhimin me pandeminë COVID-19 dhe sipas Izet Sadikut mungesa e vaksinimit rrezikon një valë të re me koronavirus.