Anëtarja e kryesisë së LDK’së, Teuta Sahatqija, është shprehur kundër një ekipi negociator për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se në Kushtetutë përcaktohet që qeveria të merret me të. E njëjta e ka përjashtuar mundësinë që subjekti politik të cilin ajo përfaqëson të jetë pjesë e këtij ekipi.

Sahatqija këto deklarime i ka bërë në ‘Balkan Talk’ në Euronews, derisa ka diskutuar edhe çështjen e dokumentacionit për dialog, të cilën qeveria aktuale thotë se nuk e ka marrë ende nga ajo e mëparshme, shkruan Gazeta Express.

“Sa i përket dokumentacionit dhe ekspertizës që ka LDK-ja duke qenë pjesë më parë e dialogut, ja kemi ofruar dhe z. Kurti, madje këshilltarët e z. Hoti po vazhdojnë punën. Ne nuk jemi dakord që të krijohet një ekip negociator nga të gjitha partitë, pasi sipas Gjykatës Kushtetuese dialogu udhëhiqet nga qeveria. Këtë mbështesim dhe ne, duke vazhduar me rolin tonë këshillues e mbikëqyrës në opozitë si dhe votojmë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjet”, është shprehur anëtarja e kryesisë së LDK’së.

Ajo ka thënë se kushti final për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

“Një dialog që vazhdon me çështje teknike nuk zgjidh çështjen kryesore. Arritje e marrëveshjes me njohjen reciproke duhet të jetë ajo ombrellë, që hap rrugë për çdo marrëveshje tjetër. Kryesore është që dialogu të rinisë dhe të përfundojë sa më shpejt”, ka thënë ndër të tjera Sahatqija.

Zyrtarja e LDK’së ka folur edhe për ngritjen e padisë ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare për Drejtësi për gjenocid ndaj Kosovës gjatë 1999’ës, duke thënë se duhet trajtuar me kujdes.

“Sa i përket gjenocidit pjesa më e madhe e pranojnë që ka ndodhur. Kërkesa e Kurtit moralisht është valide, por aplikimi duhet bërë me kujdes. Në rastin më të keq nëse del që nuk i përgjigjet kushteve të gjenocidit ne kthehemi para 2008-së. Kjo çështje duhet të analizohet me kujdes”, ka shtuar tutje ajo.