Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë akuzuar partinë që udhëheq me Komunën e Podujevës, Lëvizjen Vetëvendosje, për nepotizëm, raporton Llapi.info.

Këshilltarët opozitarë kanë hedhur kritika të shumta në drejtim të komunarëve për konkurset e hapura për mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave në këtë Komunë. Por, të gjitha këto akuza i ka hedhur poshtë drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, derisa ky i fundit ka thënë se tek tani, sipas tij, është depolitizuar arsimi në Podujevë.

Me akuza janë përballur komunarët edhe për shpërndarjen e bursave për studentë dhe nxënës llapjanë. Iniciuesi i kësaj seance të jashtëzakonshme, këshilltari nga radhët e LDK-së, Adnan Zymeri, duke arsyetuar thirrjen e mbledhjes ka potencuar çështjen e ndarjes së bursave se nuk janë përfillur kriteret e përcaktuara për subvencionimin e nxënësve dhe studentëve me bursa.

“Në zgjedhjet e  nëntorit të vitit 2020, qytetarët votuan për një kauzë të proklamuar si ndryshim. Kjo kauzë triumfoj. Me të nisur me qeverisje, qytetarët vërejtën ndryshimet. Së pari në Shëndetësi, ku qytetarët shkonin në për të kryer shërbimet dhe trajtoheshin me xhentilesë nga i pari i Komunës. Ndryshimi preku edhe strukturën organizative të QKMF-së, duke emëruar asamblistë në pozita menaxheriale. Pastaj, është bërë anulimi i shpërndarjes së motokultivatorëve. Ndryshimi nuk ndalet këtu, tek përzgjedhjeve e drejtorëve të shkollave, ku është bërë i gjysmuar. Kulminatja e ditëve të fundit, është rekomandimi i Komisionit për dhënien e bursave për studentë dhe nxënës. Në këtë proces gjen edhe persona nga e njëjta familje. Bursistët më të mirë s’u shpërblyen. Nuk u tregua në fillim se kush do të përfitojë. E keni ditur përpara se sa ka qenë buxheti nga qeverisja e kaluar. Është ndryshim i keq. Gjeni zgjidhje”, është shprehur Zymeri.

Kritika për mosndarjen e bursave sipas kritereve ka dhënë edhe këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica. Ai ka përmendur disa raste, të cilat, sipas tij, nuk janë përfillur kriteret edhe për emërimin e drejtorëve në shkolla.

“Problemet me arsimin po vazhdojnë. Politizimi nuk po përfundon. Në bazë të vendimeve që janë marrë, shihet se nuk ka pasur as edhe një kriter për ato. Në të kaluarën ke qenë drejtor me një kryetar që s’të ka vetë hiq, tash e ke një kryetar tjetër. Po i përmendi disa raste konkrete; qysh pranon ju si profesor që në shkollën “Naim Frashëri”, i cili ka kryer shkollë në një kolegj, kurse ke anashkaluar një tjetër që është profesor në Universitet. Në shkollën “Enver Maloku”, është emëruar drejtor në kryetar i një nëndege. Pse nuk e heq atë drejtor politik atje pasi keni premtuar për ndryshime. Në shkollën “Isa Boletini”, keni punësuar punëtorë pa konkurse. Në këtë shkollë ka punëtorë me 10 orë punë. Këtë ligji s’e lejon. Pastaj është bërë degradimi me bursa për studentë dhe nxënës. Ju i dini se kujt duhet t’i jepet bursë. Keni dhënë bursa me nota 4-5, e keni anashkaluar ata me nota 9-10. Në listë nuk është dhënë afat për ankesa. Keni bërë telefonata tek nxënësit për me u tërheq”, ka thënë Llapashtica.

Hasan Ajeti, shefi i grupi të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se ka shkelje të shumta në emërimin e drejtorëve dhe mësimdhënësve në shkollat e Podujevës.

“Jeni bërë dele tash në raport me punësimet që atëherë i cilësonit partiake. Në konkurset e fundit shihet se shumica e të punësuarve janë militantë dhe simpatizantë të VV-së, duke u nisur nga mësimdhënësit, e deri tek punëtorët teknikë. Shkeljet e juaja kanë vazhduar edhe në emërimet për drejtorë të shkollave”, ka thënë Hasani Ajeti.

Më tej, Ajeti e ka cilësuar si abuzim me detyrën zyrtare procesin e shpërndarjes së bursave për studentë dhe nxënës, bursa këto që përfituan ata me asistencë sociale dhe ata pa njërin prind.

“Askush nuk është kundër që të përkrahet kategoritë sociale, por duke respektuar bazën ligjore. Nuk keni të drejtë që t’i jepet dikujt diçka në kundërshtim me baza ligjore. Jemi dëshmitarë se përfitues të bursave kemi 10-15 raste janë të së njëjtës familje. Studentët mbi 9 me notë mesatare nuk janë në listë të përfituesve. Programi i juaj ka qenë dyfishim të buxhetit për bursa. Këtu shihet qartë se ka shkelje, abuzim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ka element për vepër penale dhe i ftoj organet e akuzës që të merret me këtë çështje”, ka thënë Ajeti.  

Ndërkaq, këshilltari i VV-së, Ragip Fetahu, për gjendjen në arsim, e ka fajësuar LDK-në që ka qeverisur me Podujevën për 20 vite.

“Seanca nga LDK është dashur të nisej kështu “na falni se qe 20 vite kemi qeverisur me Podujevë, na falni se qe 20 vite kemi degraduar, na falni se që 20 vite kemi punësuar drejtorë politikë, na falni sepse kemi sjellë arsimin në këtë gjendje”. Kështu është dashur të bëjë LDK dhe jo të thirret seancë e jashtëzakonshme. Drejtori nuk është fabrikë e prodhimit të parave. Vetëm 50 mijë euro i keni ndarë ju LDK për bursa. E dimi se kemi nevojë për stimulim të nxënësve dhe studentëve. Vendimi që ka marrë drejtori nuk është më i miri. E përkrahi mendimin që arsimi nuk duhej të jetë i politizuar, ashtu siç ka qenë që 20 vjet”, ka thënë Ragip Fetahu.

Në anën tjetër, dertori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, duke i hedhur poshtë të gjitha akuzuar për nepotizëm, ka deklaruar se tek tani, sipas tij, ka nisur depolitizimi i arsimit në Podujevë.

“Një gjë është shumë me rëndësi, që pikërisht këta që e kanë iniciuar këtë seancë, pak kanë folur për arsim. Një opozitë e sotshme, ish-partia ime, ka planifikuar vetëm 50 mijë euro për bursa. Prandaj, kërkoj mirëkuptim nga nxënësit dhe studentët që kanë treguar sukses në mësime-studime, që nuk kemi mundur t’i përfshijmë në mesin e përfituesve të bursës. Intervenime nga jashtë nuk ka pasur për këtë konkurs, e as për atë për mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave”, është shprehur Avni Fetahu.

“Te çështja e drejtorëve, prej 42 pozitave, 37 drejtorë e pesë zv/drejtorë, 14 prej tyre janë kthyer në normë, shumica prej tyre në Gjuhë Shqipe. S’kanë pasur që me i bë, s’ka pasur orë, e kanë bë drejtor. Kështu ka funksionar që 20 vjet. 8 pozita kanë marrë mandatin e drejtorit dhe zv/drejtorit, 29 prej tyre janë emëruar si ushtrues detyre. Kriteret kanë qenë të qarta, s’ka pasur asnjë ankesë nga ata që s’janë pranuar. Prej tyre, vetëm 12 janë të rinj. Sa i përket drejtorit të shkollës “Naim Frashërit”, është drejtor me të gjitha kuadrat, kurse zv/drejtori është me ushtrues detyre dhe do t’i nënshtrohet konkursit. Ne kemi bërë një depolitizim. Ata s’janë më vegël për asnjë politikan. Te punësimet është goxha e çuditshme me fol Hasan Ajeti. Përkundër teje, unë s’ka ndonjë familjar të punësuar”, ka thënë Fetahu.

Kurse, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i ka uruar këshilltarit Blerim Maqastena rikthimin si këshilltar në Kuvendin e Komunës, pas një mungese prej mbi 5 muaj, për shkak të mbajtjes në burg nga Serbia.

Ndërsa, duke iu referuar temës së ndarjes së bursave, Kryetari Bulliqi tha se e kanë pasur të pamundur të ndajnë bursa për të gjithë aplikuesit që i kanë plotësuar kriteret, për shkak të buxhetit të limituar për këtë kategori të subvencionimeve.

“Në qoftë se do të mund të gjendet një linjë buxhetore ne pas një, ose dy muajsh do të shpallim konkurs për nxënësit dhe studentët e dalluar”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info