Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në seancën e Kuvendit Komunal, ka akuzuar partinë që udhëheq me Podujevën, Lëvizjen Vetëvendosje, se bartja e të hyrave vetanake, siç kanë thënë këshilltarë këtij subjekti politik, nuk janë ridestinuar siç duhet, shkruan Llapi.info.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, para asamblesë komunale prezantoi propozim-vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2020 në vitin 2021 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore.

Ai propozoi që mjetet e pashpenzuara në vitin 2020, në shumën e përgjithshme prej 669,619 euro, të barten në vitin 2021 dhe atë në programet Administratë Komunale 342,671,59 euro, Shëndetësi 28,466,61 euro dhe Arsim 298,480,93 euro.

Por, me këtë ridestinim të mjeteve e pakënaqur është ndarë LDK-ja. Këshilltari i këtij subjekti politik, Adnan Zymeri, ka thënë se nga rreth gjysmë milioni euro, sipas tij, pushteti aktual i ka dhënë prioritet vetëm arsimit, por që siç ka shtuar ai, s’i është dhënë shëndetësisë në kohë të pandemisë dhe asaj të sektorit të bujqësisë.

“Zakonisht kur në Kuvend kemi trajtuar tema që kanë të bëjnë me aspektin financiar, siç janë rialokimet, bartjet e mjeteve dhe ridestinimi i tyre, ka qenë është e rrugës që secila drejtorit t’i tregojë bartjen dhe dinamikën e kontratës për projektet e specifikuara. Në këtë projekte nuk është në prioritet bujqësia, e as shëndetësia. Në kohën kur VV ishte në opozitë, kur është diskutuar për bartjen e mjeteve, të propozuar nga ish-ekzekutivi komunal, fjalët i kishin më toksike të diskursit politik. Tash s’është ndryshuar asgjë, vetëm pozicionet politike. Nuk ka ndryshuar forma e bartjes, as transparenca, por është komplet dokumenti i njëjtë, vetëm me shifra të tjera. Krejt në fund, LDK është për furnizim me kabinete tjera në shkolla, për fusha të hapura sportive dhe projekte tjera që ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve”, është shprehur Zymeri.

Ndërkaq, në emër të Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Doruntinë Hasani, ka thënë se ky grup mbështet bartjen dhe ridesntimin e mjeteve, në bazë të të hyrave ligjore.

Këtë propozim vendim e ka përkrahur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Pas sqarimit të drejtorit  se këto projekte janë në gjysmë dhe duhet të përfundojnë këtë vit, PDK e përkrahë këtë ridestinim të mjeteve”, është shprehur shefi GP të PDK-së, Fatmir Rudari.

Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2020 në vitin 2021 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetor. VV dhe PDK kanë votuar pro, ndërkaq LDK ka abstenuar.

Pas votimit të kësaj pike, i është hapur rruga edhe ndërtimit të çerdhes publike, e cila gjendet pranë shkollave të mesme në qytetin e Podujevës./Llapi.info