LB: Sistemi i drejtësisë në gjendje të rëndë

Lëvizja për Bashkim, me një kumtesë për medie ka shfaqur brengosjen e vet me gjendjen në fushën drejtësisë. Ajo, transmeton Koha.net, thotë se kjo situatë është rezultat i mungesës së pavarësisë së sistemit të drejtësisë në vend, korrupsionit dhe mungesës së integritetit profesional të zyrtarëve të caktuar në sistemin e drejtësisë.

Kjo është kumtesa e plotë

“Në vazhdimësi, por sidomos nga zhvillimet fundit, shfaqen elemente shumë shqetësuese dobësie të sistemit tonë juridik. Është shumë shqetësues fakti për një shtet kur çështjet e drejtësisë, përkatësisht rastet që do të duhej të trajtoheshin nga organet gjyqësore të bëhen pjesa më interesante e debatit publik; rastet të cilat do të duhej të merrnin zgjidhje nga organet gjyqësore të jenë pjesë e interpretimeve publike; dëshmitë apo informatat të cilat do të duhej të deponoheshin në prokurori e të shpaloseshin gjatë proceseve gjyqësore të postohen nëpër rrjete sociale e të bëhen pjesë e lajmeve ditore.

Ne, si Lëvizje për Bashkim, konsiderojmë se kjo situatë është rezultat, ndër të tjera, i mungesës së pavarësisë së sistemit të drejtësisë në vend, korrupsionit dhe mungesës së integritetit profesional të zyrtarëve të caktuar në sistemin e drejtësisë. Këto të meta të këtij sistemi shprehen përmes formave të ndryshme të veprimit apo mosveprimit të këtyre zyrtarëve. Është paradoksal dhe i papranueshëm fakti që zyrtarë policorë të rrahin publikisht, në mes të ditës, në mes të qytetit një qytetar dhe të mos ndërmerren masa ndaj tyre. Është degradim i jashtëzakonshëm që figura publike të deklarojnë publikisht se e dinë se kush është vrasës dhe se nuk do të bashkëpunojnë me sistemin e drejtësisë, ndërsa ky sistem të rrijë duarkryq. Është e papranueshme që nga dhomat, të konsideruara si më të sigurtat në polici, të vidhen dëshmitë, dhe shumë skandale të tjera të tilla.

Lëvizja për Bashkim është shumë e shqetësuar me këtë gjendje dhe zotohet se do të angazhohet maksimalisht dhe që t’i bashkërendojë forcat me të gjithë aleatët kundër të keqes që kjo gjendje të ndryshojë sa më parë. Mungesa e një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë pamundëson jo vetëm drejtësi për qytetarët e një vendi por edhe zhvillim ekonomik, arsimim e përparim në shumë sfera të tjera jetësore”.