Përfaqësuesi i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se është kundër atij lloji të reciprocitetit që do të krijonte pengesa të reja në mes të palëve dhe që do të vështirësonte qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Këtë çështje të paralajmëruar nga Kurti, Lajçaku e ka parë më shumë si “çështje elektorale”.

Ai ka thënë se një gjë e tillë s’do t’i bënte mirë dialogut.

“Është përmendur si çështje për të vendosur barazi. Është saktësisht dialogu si platformë e vetme ku ata janë palë të barabarta, baras mund të përfitojnë ose pësojnë. Taksa s’mund të shihet nën emrin e reciprocitetit. Kush përfitoi nga ajo? Askush. Jam për reciprocitet nëse hiqen të gjitha barrierat e jo nëse shtohen. Përgjigja është e qartë: Dialog”, ka thënë ai.

Lajçaku s’ka pranuar të flasë për afate kohore kur mund të përfundojë dialogu mes dy shteteve, edhe pse në të kaluarën kishte thënë se kjo është çështje muajsh.