Qindra qytetarë këtë të martë kanë vërshuar laboratorët për t’u testuar për COVID-19.

Kjo ka bërë që disa laboratorë të bllokohen nga kërkesat e shumta.

Vetëm gjatë ditës së djeshme në laboratin “Prolab”, e cila kryen testime serologjke, mbi 60 qytetarë kanë kërkuar që të testohen. Kjo ka bërë që ky laborator të mos arrijë t’i përfundojë të gjitha këto mostra, raporton KOHA.

Derisa shumica e qytetarëve këtë të martë kanë ardhur të testohen për shkak të shkuarjes në shtetin e Malit të Zi.

E ndonëse janë vetëm dy laboratorë që deri më tani Ministria e Shëndetësisë i ka licencuar për RT PCR, asnjëri prej këtyre laboratorëve ende nuk ka nisur punën.

Ndonëse që nga e hëna kanë pranuar kërkesa të mëdha nga qytetarët për këtë formë të testimit, Medical Laboratory thotë se e ka pasur të pamundur të nisë testimin e qytetarëve.

E ditën e parë kur në Kosovë kanë nisur punën 29 laboratorë të licencuar nga Bordi i Licencimit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se procesi i testimeve për COVID-19 në laboratorët privatë do të monitorohet nga Autoriteti i Konkurrencës.

Zemaj, pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës, ka thënë se nuk do të lejohet monopol dhe caktim i çmimit të shërbimeve.

Ndërsa, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se ky institucion do të jetë i gatshëm që ta mbikëqyrë këtë proces, për të mos lejuar monopolin mes kompanive.

Një ditë më parë, Bordi i licencimit të Institucioneve Private nga 100 laboratorë privatë, të cilët kishin aplikuar për testime serologjike dhe RT PCR, licencoi 29 laboratorë privatë për testim. 27 prej tyre u licencuan për të kryer teste serologjike dhe 2 të tjerë për RT PCR.