Vazhdon të mbetet në fuqi vendimi i Kuvendit të Komunës së Podujevës që t’u mos u lejohet puna të gjitha bizneseve në këtë Komunë gjatë të dielave, shkruan Llapi.info.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Podujevës në një postim në Facebook, pas pyetjeve të shumta që janë dërguar nga bizneset që operojnë në këtë Komunë.

“Bazuar në pyetjet e shumta që këto ditë na kanë ardhur nga bizneset, ju njoftojmë se Rregullorja për Orarin e Punës të Bizneseve në Komunën e Podujevës është ende në fuqi, rrjedhimisht e diela vazhdon të mbetet ditë pushimi, me përjashtim të atyre bizneseve që iu lejohet puna sipas Rregullores edhe ditën e diel. Ndryshime në të mund të bëjë vetëm Kuvendi Komunal dhe për çdo ndryshim eventual, Komuna e Podujevës do të bëjë njoftim publik me kohë”, thuhet në njoftim./Llapi.info