Foto ilustrim

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë për krime lufte ndaj një serbi, i cili po pretendohet se ka qenë pjesëtar i forcave policore rezervë apo forcave paramilitare serbe në fshatin Krushë e Vogël në mars të ’99-s. Akuza ndërlidhet edhe me një sulm në këtë fshat, gjatë të cilit popullata civile u ishte nënshtruar vrasjeve brutale

Gazeta Express merr vesh se PSRK-ja ka ngritur sot aktakuzë ndaj serbit Darko Tasiq, i cili u arrestua në nëntor të vitit të kaluar në Bërnjak, për shkak të dyshimit për krime luftë në Kosovë.

Tasiq, para se të arrestohej në Bërnjak, ishte me banim të përhershëm në Mal të Zi. I njëjti është i lindur në Prizren.

“I akuzuari akuzohet për plaçkitje, shkatërrim me paramendim dhe krim kundër dinjitetit personal dhe njerëzor, shkelje këto të ligjit të vendit si dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media nga Prokuroria.

Tasiqi, sipas dëshmitarëve në Krushë të Vogël, ka përzënë popullatën. 109 persona futen në një objekt dhe vetëm gjashtë shpëtojnë nga djegiet e të shtënat e Tasiqit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Akuzat ndërlidhen me një sulm në fshatin Krushë e Vogël i cili filloi më 25 mars 1999 nga forcat serbe, përfshirë policinë dhe paramilitarët, gjatë të cilit popullata civile i ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të rënda, ndërrimit të lokacionit dhe zhvendosjes, ushtrimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit/grabitjes dhe plaçkitjes së pronës, përdhosjes dhe shkatërrimit të trupave të viktimave të agresionit serb, të gjitha këto të kryera gjatë një periudhe dyditore.

I akuzuari është arrestuar në nëntor 2017 në bazë të një fletarresti ndërkombëtar gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë dhe që nga arrestimi gjendet në paraburgim.