Qeveria Kurti 2 ka miratuar programin e saj qeverisës më 7 maj të këtij viti. Në mesin e pikave që përfshihen në këtë program është edhe liberalizimi i vizave, raporton Gazeta Sinjali.

Synimi i kësaj qeverie është që liberalizimi i vizave të rikthehet nga një “proces i politizuar” në një “proces teknik”.

Qeveria ka planifikuar ndërmarrjen e disa hapave për arritjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hapi i parë, kjo qeveria planifikon të jetë shmangia e ndikimit politik në organet e drejtësisë.

“Qeveria zotohet dhe siguron respektimin e parimeve të ndarjes së pushteteve, si vlerë themelore e rendit demokratik dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në faqen 21 të programit.

Qeveria e Kosovës po ashtu zotohet se brenda një periudhe të shkurtër do të kompletojë kornizën e politikave për sistemin e drejtësisë, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Ndërsa, në një periudhë afatmesme qeveria premton se do të zhvillojë procesin e vettingut në drejtësi dhe në institucionet e rendit dhe sigurisë publike, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.