Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Kroaci.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në hapje të seancës propozoj që të nderohen viktimat.

“Propozoj që të mbajmë një minutë heshtje për ti nderuar 10 bashkatdhetarët tanë të cilët para tre ditësh në aksidentin tragjik në Kroaci e humbën jetën. U prefshin të qetë në dheun e Kosovës të cilin e deshën aq shumë”, tha Konjufca.

Ndryshe sot rreth orës 12;00 pritet që trupat e dhjetë viktimave të arrijnë në Morinë.

Në aksidentin fatal në Sllavonski Brod të ndodhur më 25 korrik vdiqën 10 shtetas kosovarë që po udhëtonin në linjën Frankfurt-Prishtinë, kurse u lënduan mbi 40 të tjerë.

Të mbijetuarit e këtij aksidenti kanë arritur mbrëmë në Kosovë.