Gjendja në të cilët ka ardhur Telekomi ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të mbledhë 40 nënshkrime për të thirrur Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme për të martën e javës së ardhshme (14 maj).

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Blic deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e cila tha se kjo seancë do të mbahet të martën duke filluar nga ora 10:00.

“Po i kemi mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për Telekomin. Seanca do të mbahet të martën në ora 10:00”, tha ajo.

Ndryshe, kjo seancë vjen pas “kërcënimeve” që Z-Mobile i ka bërë Telekomit për shlyerjen e borxhit prej afro 26 mijë eurosh.

Gjatë ditës edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se bashkë me Vetëvendosjen, do të thërrasin Kryeministrin sërish në Kuvend për folur rreth Telekomit.

“Bashkë me VV, do të ftojmë Kryeministrin në seancë të jashtëzakonshme për mos zbatimin e Rezolutës dhe si të dilet nga kjo situatë”, thuhet më tej në postimin e Shefit të GP të LDK’së.

Duke komentuar deklaratat e Hotit dhe rezolutën e votuar në korrik të vitit të kaluar për Telekomin nga LDK- VV, analisti politik , Astrit Gashi tha se Vetëvendosje duhet që përveç Haradinajt llogari të kërkojë edhe nga partia e Isa Mustafës.

“Përveç se Kryeministrin Haradinaj, Vetëvendosje duhet për shkatërrimin e PTK ta marr në pyetje dhe nën hetime edhe LDK-në. Kontratat më të dëmshme përfshirë edhe humbjen në arbitrazh janë bërë gjatë kohës që LDK ka bashëkqeverisur me PDK-në”, ka thënë Gashi.

Qeveria PDK- LDK, thotë Gashi, gjatë vitit 2007 e kishte marrë PTK-në me vlerë shitëse minimale prej 700 milion eurove, teksa sot po flitet për falimentim.

“Qeveria e 2007 (PDK-LDK) e kishte marrë PTK me vlerë shitëse minimale prej 700 milion euro e maksimale prej 1 miliard, sot po flitet për falimentim- e ai nuk ka ardhur vetëm nga Devollët”, ka thënë ndër të tjera ai.