Vetëm dy parti, deri më tani, i kanë publikuar emrat e kandidatëve për kryetar të Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj ka zyrtarizuar kandidaturën e deputetit aktual nga radhët e kësaj partie, Besnik Tahiri.

Për disa vite, Tahiri kishte mbajtur pozitën e zëdhënësit të partisë. Më pas partia e kandidoi dy here për kryetar të Komunës së Prishtinës, por që nuk ia arriti të fitonte. Në qeverinë Haradinaj, Tahiri ishte emëruar Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore. Ai garon për herë të parë për kryetar të Komunës së Podujevës. Ai në zgjedhjet e 14 shkurtit ka mbledhur 7 mijë e 816 vota. Prej tyre, 598 sosh i ka në vendlindjen e tij (Podujevë). Tahiri, aktualisht është shef i grupit parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës.

Përveç Tahirit, kandidatin për kryetar të Podujevës e ka bërë zyrtare edhe partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate. Kryetari i kësaj partie në Podujevë, Xhemajl Hasani ka njoftuar se do t’i hyjë sërish garës për kryetar të kësaj Komune. Ai kishte garuar nga kjo parti edhe në zgjedhjet e vitit 2017, ku kishte mbledhur 242 vota. Hasani ka garuar për deputet edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, derisa ka mbledhur gjithsej 459 vota, prej tyre, 290 i kishte në Podujevë.

Ndërkaq, partitë tjera, LDK, PDK dhe VV ende s’i kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të kësaj Komune.

PDK në Podujevë nuk i ka hesapet mirë. Largimi i Naim Fetahut ka lënë boshllëk dhe paqartësi në degën e kësaj partie në Llap. Ka fraksione e mospajtime mes disa njerëzve me ndikim te PDK në këtë komunë, derisa ende nuk është zgjidhur kryetari i kësaj partie në këtë degë.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk është dhënë ndonjë detaj se kush mund të jetë kandidat për kryetar të Podujevës, në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor.

Kurse, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, siç ka mësuar Llapi.info, është përfolur se do t’i hyjë garës ish-deputeti nga kjo parti, Ekrem Hyseni. Hyseni, i cili s’i ka punët fort mirë me ish-kryetarin e Podujevës, Agim Veliun, gëzon më shumë mbështetje nga dega dhe nëndegët e LDK-së në Llap, me ç’rast, me shumë gjasë, do të jetë kandidat për kryetar të kësaj Komune.  

Duhet theksuar se zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor. Ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur takime me krerët e partive, ndërkohë që shumica e partive kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 31 tetor./Llapi.info