Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se përfaqësues të PDK-së dhe Listës Serbe në Komisionin për Ekonomi kanë votuar kundër shkarkimit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ajo tha se, është hapur rruga nga ana e Qeverisë që të propozohet një Bord i ri.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar që në seancën e radhës plenare të shkarkohet Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Me këtë kemi hapur rrugë për Qeverinë që të propozojë një Bord të ri që do të miratohet në seancë plenare, i cili do të përmbyllë fazën e tranziovcionit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Ajo çfarë ne kemi parë ka qenë një perforamancë shumë e dobët nga ky agjencion, është kthyer në institucion në shërbim të vetvetes duke akomoduar vazhdimësi kërkesa dhe vendime politike dhe duke i shkaktuar dëme ekonomisë së Kosovës. Për shkarkimin e Bordit kanë votuar përfaqësues të LVV-së dhe partisë nga komunitetet, ndërsa kundër kanë votuar përfaqësues të PDK-së dhe Listës Serbe”, tha Kusari-Lila.

Gjatë raportimit në këtë komision, drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj ka thënë se vendimet e Qeverisë të marra gjatë vitit 2020 për pezullimin e përkohshëm të privatizimet kanë ndikuar në ulje e të hyrave.

Po ashtu, në këtë Komision është shqyrtuar raporti i AKP-së për vitin 2020. /Telegrafi/