Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se synojnë të fitojnë 3/4 e komunave në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në muajin tetor.

Këto fjalë ai i tha në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në vjeshtë do të jenë zgjedhjet lokale në Kosovë. Data është caktuar 17 tetori. Është detyra jonë, e të gjithë neve, që në këto zgjedhje të punojmë sa më pranë me qytetarët, për të fituar mundësisht pa balotazh. Gjasat i kemi të mëdha thuajse në të gjitha komunat. Duhet të ja mësyjmë e t’i fitojmë 3/4 e komunave”, ka thënë Kurti.

Ai tutje shtoi se edhe në këto zgjedhje kanë në plan të hyjnë bashke me listën ‘Guxo’.

“Në këto zgjedhje lokale jo vetëm që jemi të gatshëm, por edhe synojmë, që të bashkëpunojmë me Listën GUXO, sikurse për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit”, shtoi tutje ai.

Sipas tij,  zgjedhjet lokale që patëm në dimrin e shkuar në Podujevë, dhanë sinjalin e parë, pasi aty fituan pa balotazh.