Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se çfarë ishte pyetur nga Emmanuel Macron, presidenti i Francës, në takimin që kishin pasë të mërkurën e kësaj jave.

Ai ka thënë se Macron e ka pyetur se çfarë është e gatshme t’i japë Kosova Serbisë në këmbim të njohjes.

Kurti në një intervistë për gazetën franceze Le Monde ka deklaruar se pyetja e vërtetë që dueht të bëhet në këtë rast është “Kur do të ishte e gatshme Serbia ta njohë Kosovën?”.

“Ne diskutuam për çështje bilaterale, në fushat e sigurisë, kulturës dhe frankofonisë. Nga ana ime, unë insistoj në çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët: tri vjet pas dritës jeshile të dhënë nga Bashkimi Evropian, dhe ndërsa ka pasur një rënie drastike të emigracionit, Parisi mbetet skeptik. Shpresoj që kjo vizitë të ndihmojë në tejkalimin e skepticizmit të shtetit francez. Unë gjithashtu insistova në nevojën për marrëdhënie shumë të forta ekonomike bilaterale me Francën”.

“Në nivelin diplomatik, i kërkova Presidentit Macron të lidhte njohjen e ardhshme të Serbisë për Kosovën, edhe për të fituar një ulëse për Kosovën në Kombet e Bashkuara, sepse këto dy çështje, sipas mendimit tim, nuk duhet të ndahen. Z. Macron më pyeti se çfarë është e gatshme t’i japë Kosova Serbisë në këmbim të njohjes, por pyetja e vërtetë është: Kur do të ishte e gatshme Serbia ta njohë Kosovën? Besoj se duhet të ndalemi me taktikën e dhënies gjithmonë më shumë Serbisë, duke mos qenë kurrë e kënaqur me shkëmbim”, ka thënë Kurti për Le Monde.