Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë Zyra e Kryeministrit ka marrë dy shkresa nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me çështjen e shpërndarjes së Kuvendit.

Ai në një përgjigje për KOHËN ka shtuar se prioritet i Qeverisë mbetet menaxhimi me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Sipas tij, përballë kësaj sfide, çdo çështje politike apo partiake duhet konsideruar e rëndësisë dytësore.

“Siç është sqaruar në dy shkresat e tij të datës 1 prill 2020, Kryeministri i Republikës së Kosovës, në cilësinë e tij zyrtare, zhvilloi një takim ndërinstitucional me Presidentin e Republikës së Kosovës, për të biseduar lidhur me çështjen se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, në përputhje me kërkesat e qarta të nenit 82.2 të Kushtetutës, por duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë. Bashkë me Kryeministrin Kurti në takim ishin edhe dy këshilltarë të tij ligjorë. Zyra e Kryeministrit njofton se ka pranuar dy shkresa nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh rëndësinë jetike të betejës kundër virusit COVID-19, prioriteti i parë i Kryeministrit dhe i gjithë Qeverisë është i përqendruar në menaxhimin e kësaj pandemie, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përballë kësaj sfide, çdo çështje politike apo partiake duhet konsideruar e rëndësisë dytësore dhe tretësore”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se në “cilësinë e tij si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti do të gjejë një mundësi adekuate dhe jo të largët për të analizuar, me kujdesin e duhur, letrat e dërguara nga Presidenti, si dhe për t’iu kthyer përgjigje atyre”.