Kosovo's Prime Minister Albin Kurti speaks during a press conference in Pristina on February 26, 2020. (Photo by Armend NIMANI / AFP)

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një bashkëbisedim përmes platformës ‘Zoom’ që pati me bashkatdhetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës diskutoi lidhur me gjendjen me pandeminë, ekonominë dhe politikën në Kosovë.

Në këtë diskutim Kurti u pyet edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ku u shpreh se vetëm projekti ka vdekur por jo edhe ideja.

“Projekti i shkëmbimit ka dështuar, por ideja është ende e gjallë. Në qeverinë time edhe ideja do jetë e vdekur sepse ne do fokusohemi më shumë në zhvillim ekonomik dhe luftim të pandemisë COVID-19”, u shpreh Kurti.

Kurti gjithashtu shtoi se Qeverisë së Kosovës në dialog i premtohet një “gjysmë njohje” derisa ideja për shkëmbim është një maskë për ndarje të Kosovës.

“Këto janë negociata asimetrike ku Serbia kërkon më shumë për vete, kurse Qeverisë në Kosovë i premtohet një gjysmë njohje. Projekti për ndarje ka tre vite që po qarkullon, ku në këmbim përmendet një ulëse kinse në OKB, që unë e vë në dyshim votën e Rusisë dhe Kinës dhe e gjitha kjo pa njohje të Kosovës nga Serbia,” ka shtuar tutje Kurti.

Sipas liderit të LVV-së, kjo ide është maskë e një projekti te vjetër të Serbisë për ndarje të Kosovës.