Kryeministri i Kosovës ende nuk ka raportuar në Kuvend për takimin e parë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për të raportuar dhe paraqitur një platformë për dialogun, opozita vazhdon të kërkojë çdo herë nga Qeveria e Albin Kurtit.

Ky i fundit sot është pyetur se kur do të raportojë në Kuvend për dialogun me Serbinë, por nuk ka dhënë një përgjigje të prerë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Çdo herë i gatshëm jam unë”, ka thënë shkurt Kurti nga Prizreni ku vizitoi sot panairin e shkollave profesionale, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë takuar në Bruksel më 15 qershor, ndonëse nuk pati ndonjë zhvillim nga kjo, ndërmjetësuesit e BE-së e kanë quajtur si zhvillim pozitiv rifillimin e bisedimeve.

Kurti në këtë takim ka prezantuar katër pika.

Propozimi i parë i Kurtit thotë se “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në”.

Propozimi i dytë nga kryeministri Kurti është që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

“Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”, thuhet në propozimin e dytë.

Në propozimin e tretë, pas njohjes së ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë Kurti tha se të dyja vendet do të kenë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave.

“Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, ka nënvizuar Kurti në pikën e tretë.

Ndërsa në pikën e fundit të propozuar nga Kurti, është përmendur çështja e të pagjeturve.

Sipas tij, për këtë çështje, kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999 ishte shefi i qarkut të Kosovës dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjellkoviq “duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje”.

Kurti ka sqaruar se nga këto propozime, propozimi i parë i tij nuk ka marrë përgjigje, ndërsa tri propozime tjera janë refuzuar.

Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiq pritet të mbahet para pushimit të verës që nis më 25 korrik.