Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot Radio Televizionin e Kosovës.

Siç njoftohet nga Zyra e Kryeministrit, Kurti citohet të ketë thënë se në kohë të pandemive institucioneve publike iu shtohet vëmendja dhe përgjegjësia, duke shtuar se për Qeverinë e tij, publikja është vlerë.

Prandaj, sipas tij, bashkëpunimi mes institucioneve qeveritare dhe transmetuesit publik, duhet të bëhet për ta luftuar armikun e përbashkët, siç është koronavirusi.

“Në rast se ky armik bëhet i dukshëm atëherë një hallkë diku ka dështuar”, thuhet në njoftim.

“Transmetuesi publik është duke luajtur detyrë të rëndësishme me transmetimin e mësimit online, ku është vendosur orari fiks i mësimit. Nga ora 09:00 deri në ora 16:00, në RTK4, mund të ndiqet mësimi në distancë në gjuhën amtare dhe RTK2 e transmeton mësimin në gjuhën boshnjake e turke. Transmetimi i mësimeve është i rëndësishëm edhe për fëmijët tanë në diasporë të cilët do të kenë rastin t’i ndjekin ato në gjuhën amtare”, thuhet në njoftim.

Kurti tutje citohet të ketë thënë se është shumë e rëndësishme të parandalohet shpërndarja e virusit.

“Është shumë me rëndësi ta parandalojmë virusin. Kushtet jo të mira që i kemi gjetur si qeveri na e pamundësojnë të kemi luksin që të mendojmë se mund ta trajtojmë dikë ashtu siç e meriton nëpër spitalet tona. Prandaj, fushatat dhe thirrjet për të qëndruar në shtëpi, të mbajmë distancën e për të qëndruar të pastër janë jetike”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti në RTK ka qenë i shoqëruar me ministren në detyrë të MASHTI-t, Hykmete Bajrami, atë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ministren e EPTINIS-it, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Të njëjtit janë pritur nga drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati dhe Lorik Arifaj i cili është i autorizuar me përgjegjësi të drejtorit të televizionit.