Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar rreth vizitës së Përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Mathew Palmer dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Kosovë.

Ai tha se nga mesi i qershorit do të ketë takimin e parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për dialogun Kosovë-Serbi.

Tutje, kryeministri Kurti tha se dialogu do të jetë parimor e i drejtë dhe se Kosova nuk do të trajtohet si objekt në tryezë por si palë e barabartë.

Ai është shprehur se në Kosovë assesi nuk do të ketë asociacion një-etnik.

“Jemi në Prizren dhe ky është vendi ku po flasim për zhvillimin, fëmijët, mendoj që mjaftueshëm gjithandej emisioneve të tjera flasim për dialogun dhe të ardhmen, do të ketë një takim nga mesi i qershorit, por tani jemi në fillim të qershorit. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, të mos krijojmë krahina që ndajnë qytetarët. Dialogu do të jetë parimor, i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë por palë e bisedimeve, me dijen, programin tonë e përgjegjësinë që kemi treguar do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës”.