Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar ish-mësuesin nga Podujeva, Shaban Sfishta, i cili ka punuar në arsim pa marrë pagë mbi 17 vjet, shkruan Llapi.info.

Kurti ka nderuar Sfishtën në gjashtëvjetorin e vdekjes, ndërkohë që ka shtuar se Kosova gjashtë vjet më parë ka humbur qytetarin model. I pari i ekzekutivit ka thënë se heroizmi i Sfishtës do të mbetet frymëzim për brezat e rinj.

“Me mendje e me zemër jemi pranë jush në këtë ditë dhimbjeje e krenarie. Gjashtë vjet më parë ju humbët njeriun e dashur dhe shtyllën e familjes, kurse shteti i Kosovës humbi qytetarin mode. E përkujtojmë sot mësuesin Shaban Sfishta dhe altruizmin e tij, që tejkaloi përmasat e misionit human të mësimdhënies. Duke iu a dedikuar për 17 vjet e 7 muaj pagat mujore buxhetit të Kosovës, Sfishta u bë model i sakrificës për kauzën e madhe të shtetndërtimit. Heroizmi i tij fisnik do të mbetet frymëzim brezash. Ne do ta nderojmë kujtimin për Sfishtën, duke u angazhuar çdo ditë me përkushtim për realizimin e ëndrrës së tij – Kosovën shtet të fortë e të përparuar”, thuhet në letrën e Kurtit, drejtuar familjes Sfishta.

Gjashtë vjet më parë, në moshën 64-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë ndërroi jetë Shaban Sfishta, ish-arsimtar i lëndës së  Kimisë në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Podujevë. Sfishta gjithë kontributin e tij ia kushtoi arsimit të brezave. Ai punoi 17 vjet e 7 muaj pa asnjë cent. Pagën e tij, Sfishta e la në buxhetin e shtetit të Kosovës, gjest ky i cili e bëri të dallueshëm nga mësimdhënësit e tjerë.

Për sakrificën e tij, ai kishte marrë mirënjohje nga Ministria e Arsimit dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara./Llapi.info

No photo description available.