Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherësh mandatar për të qeverisur Kosovën, është deklaruar pas takimit që zhvilloi në selinë e kësaj partie me ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Me të, siç theksoi më herët edhe Grenelli, thotë se ka diskutuar për nevojën urgjente në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës.

“Prita ambasadorin amerikan Richard Grenell sot në zyre, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe deputeten Fitore Pacolli. Diskutuam nevojën urgjente për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive për punësim”, shkruan Kurti në Twitter.

Grenelli, pas takimeve me Kurtin e VV-së dhe Mustafën e LDK-së, tha se nuk ka ardhur në Kosovë për çështje politike dhe as lidhur me krijimin e qeverisë, por, ka ardhur për të diskutuar rreth mundësive për rritjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik.