Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi kriminelit të luftës Ratko Mlladiq iu ri konfirmua dënimi më burgim të përjetshëm për krime mbi popullsinë civile në Srebrenicë.

“Krimineli famëkeq i luftës, Ratko Mlladiq, i njohur si “kasapi i Bosnjës dhe Hercegovinës’, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid. Serbia e fshehu dhe e portretizoi atë si një hero. Por ky vendim është një kujtesë se mohimi i krimeve të së kaluarës në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë nga Serbia duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.