Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që si pasojë e punës së ngadaltë dhe mos unitetit të BE-së, Kosova ka mbetur ende pa liberalizimin e vizave.

“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Ky është mesazh dekurajues për rajonin tonë dhe agjendën e rajonit tonë, si vend të cilit i është mohuar liberalizimi i vizave. E kuptoj zhgënjimin tuaj, por duhet të kemi durim dhe mos të marrim hapa të shpejtë që nuk i shërbejnë interesave as të shtetit tonë”, u shpreh Kurti, njofton Klankosova.tv.

“BE është e ngadalë dhe i mungon uniteti, por megjithatë është shpresa jonë më e mirë dhe alternativa e vetme që e kemi, jo vetëm që nuk kemi zgjidhje tjetër, por sepse i takojmë këtij rajoni”.

Kurti gjatë fjalimit në Samitin e Prespës, tha se një pjesë e madhe e përgjegjësisë është e Bashkimit Evropian, por gjithashtu theksoi se edhe vendet duhet t’i kryejnë punët e tyre.

“Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor është pjesë e Evropës, e rrethuar me vende të BE-së. Kemi histori të përbashkët, kemi luftuar në luftëra të njëjta dhe ekonomitë tona janë të lidhura”.

“Kështu që në vend që të vazhdojmë të jemi të frustruar nga ana e BE-së duhet ta pyesim veten se çfarë ardhmërie dëshirojmë të bëjmë ne që të arrijmë aty, pasi në fund të fundit vetë ne jemi larg nga të qenit të përkryer dhe nëse shohim brenda te ne, do ta kuptojmë që ne në fakt kemi shumë probleme”.