Komunarët e Podujevës e kanë prishur asfaltin në rrugën e qendrës në Podujevë, e shtruar vitin e kaluar gjatë kohës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, njofton Llapi.info

Shtresa e re e asfaltit e vendosur në rrugën kryesore të qytetit “Zahir Pajaziti” ishte bërë edhe pa vendim të Kuvendit Komunal, pasi për të njëjtën rrugë ishte paraparë zgjerimi, ndërtimi i gjithë infrastrukturës përcjellëse dhe pastaj asfaltimi për njërën pjesë të saj, ndërsa për pjesën tjetër të qendrës ndërtimi i bulevardit. Mirëpo, mjetet e parapara ishin rialokuar.

Ndërsa, tani kjo rrugë është prerë në të dyja anët kështu duke vendosur edhe kubëzat, derisa për këtë rrugë nuk janë ndjekur as procedurat ligjore. Ekzekutivi e kishte anashkaluar tërësisht Kuvendin Komunal kur e kishte “ndërruar” projektin që ishte paraparë për këtë rrugë si: zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi me tërë infrastrukturën përcjellëse dhe kishte vendosur që ta “kompensojë” me një shtresë asfalt.

Edhe pse u ndanë rreth 130 mijë euro për riasfaltimin e kësaj rruge, sivjet ajo është prishur. E, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu më 6 nëntor të vitit 2017, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, kishte thënë se kjo rrugë nuk do të prishet sivjet, e që në fakt tani ajo është prerë.

“Rruga e qendrës nuk  do të prishet, nuk do të prishet”, pati thënë ai në një debat me kandidatin e LVV-së për kryetar të Podujevës, Ajet Poterën.

Në lidhje me këtë pati reaguar këshilltari i VV-së në këtë Komunë, Fitim Haziri, i cili ka akuzuar Veliun se i ka çuar dëm 200 mijë euro.

“Ethet e humbjes të cilat e kishin kapluar kryetarin Veliu gjatë fushatës për zgjedhje lokale në 2017 e kishin shtyrë që të mos zgjedhë rrugë ligjore në shumë projekte, vetëm e vetëm që të rikthente besimin e humbur të qytetarëve. Ndër to ishte edhe shtresimi i rrugës “Zahir Pajaziti” me asfalt. Asfaltimi i kësaj rruge ishte i jashtëligjshëm, pasi nuk kishte vendim të Kuvendit Komunal në Podujevë për ndërrim të projektit”, ka thënë ai.

Më poshtë video kur Veliu thoshte se rruga “Zahir Pajaziti” nuk do të prishej në vitin 2018: