Marash Kumbulla të enjten është prezantuar te Roma, ekip për të cilin do të luajë në sezonin e ri në Serie A që nis këtë fundjavë.

Kumbulla te Roma ka kaluar nga skuadra e Veronës, transmeton KOHA.

Në fakt, Roma e ka huazuar Kumbullën për dy vjet me detyrim të blerjes së kartonit të tij deri në verën e vitit 2022. Në rast se Roma vendos ta blejë Kumbullën, atëherë ai do të firmosë kontratë deri në vitin 2025 me ekipin e ri.

Ai te Roma do ta bartë fanellën me numër 24 dhe në intervistën e tij të parë si anëtar i skuadrës nga kryeqyteti, Kumbulla ka thënë se është i emocionuar për aventurën e re. Madje, ka shtuar se te Roma do të zhvillohet edhe më shumë si futbollist.

Futbollisti shqiptar ka theksuar se nuk ka hezituar aspak t’i bashkohet Romës, një ekip me traditë në futbollin italian.

“Unë jam ende i ri dhe mund të zhvillohem edhe më shumë, kështu që te Roma do ta kem një mundësi të tillë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi dhe synimi im është që t’i ndihmojë bashkëlojtarët në arritjen e synimeve duke fituar sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur”, është shprehur Kumbulla 20-vjeçar.