Ndonëse ka kohë që e ka ndërprerë punën e qëndisjes, nostalgjia e përcjell Shukrije Selacin. Shtatëdhjetegjashtëvjeçarja thotë sot do të mund të punonte diçka për qejf, por jo me ritmin e dikurshëm.

I ruan me xhelozi disa nga punimet që ka bërë dikur, e shumë të tjera e di që i ka të shpërndara nëpër qytetin e Mitrovicës, të Vushtrrisë e rrethinave të tyre. Kur i sheh thotë se e kthen pas çdo moment që ka kaluar derisa i ka punuar.

“Ku të shoh lule të qëndisura, i shikoj me vëmendje dhe e di qysh është vizatu, qysh është punu. Punimet që i ruaj më kujtojnë se sa mirë dhe e disponume jam ndi kur kam punu”, thotë Selaci.

Ka qenë prej atyre grave që nuk është mjaftuar me format shabllone të dekoreve që është dashur të endej nëpër materiale të ndryshme. Ka krijuar figura të veta, të lira, siç bëjnë artistët. Prandaj punimet e saj janë vepra arti. Puna me kllapodan ka qenë specialiteti i saj. Moskursimi i fijeve të arit e ka bërë dallimin nga të tjerat gra që janë marrë me këtë punë.

Artizanati i trashëguar

E shkurtër në prezantimin e vetes është Shukrije Selaci, në fillim të bisedës për “Kohën Ditore”. Tregon se ka lindur në vitin 1944, në Mitrovicë.

“Jam nga Mitrovica, e martuar në Vushtrri”, thotë ajo fjalëpakë. Ato që flasin më shumë janë punët dhe vetë kujtimet e saj.

Kthehet krejt në fëmijërinë e saj, për të treguar se ka qenë dhjetë vjeçe kur përkrah nënës së saj ka mësuar punën e qëndisjes.

“Nana e ka pasë ushtru këtë zanat. Si dhjetëvjeçare zanatin e kam mësuar prej nanës”, thotë ajo.

Si shumica e vajzave në këtë punë, edhe Selaci ka kaluar nëpër punët më të lehta.

“Në fillim kam punuar me gjilpërë dhe kërrabëza, kam kryer qëndisje me dorë dhe oja me gjilpërë. Ma vonë, kur kam qenë 25-vjeçare kam fillu me punu me makinë të qepjes. Dhjetë vitet e para me gavrime ose ‘aknagërsh’ siç i thojshim. Pastaj me kllopodan kemi punu krejt çka vyente për pajen e nusnisë, pra qejz”, rrëfen Selaci.

Në gjithë rrugëtimin e saj e kanë përcjellë vullneti e dëshira për punë.

“Punën e kam dashtë shumë dhe e kam punu me qejf. S’ka pasë çka me m’pengu. Meterialin për punë e blejsha në treg të vendit pa vështirësi. Çika e kunatit tim më ka mësu si të bëj gavrimet, ajo ka punu në makinë. Pastaj edhe unë i kam mësuar disa gra të tjera në qytet për të kryer disa punë. Kam punuar edhe me vajzën time të madhe”, tregon Selaci.

E përtej dëshirës për punë, edhe raporti i shëndoshë me klientët e ka plotësuar në mozaikun e gjërave të rëndësishme për sukses në një zanat.

“Gjithmonë kam qenë e kënaqun kur e kam qitë ditën që e kam planifiku, domethënë kur e kam realizu planin që e kam mendu”, thotë Selaci, teksa shton se momentet që i kujtohen gjithnjë janë ato kur myshterinjtë kanë shkuar ta marrin porosinë që e kanë bërë.

“Kanë qenë të kënaquna dhe më kanë falënderu për punën. Për mua ka qenë kënaqësi që e kam bo punën të cilën e kam planifiku dhe që myshteritë kanë qenë të kënaqun”, thotë ajo.