Kryetari Veseli: Qytetarët presin nga të zgjedhurit e tyre dalje nga ngërçi...

Kryetari Veseli: Qytetarët presin nga të zgjedhurit e tyre dalje nga ngërçi politik

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një deklarate për medie e ka quajtur hap pozitive tryezën e sotshme të presidentes Atifete Jahjaga në drejtim të shtensionimit të situatës politike në vend, transmeton Koha.net.

Në deklaratën e kryeparlamentarit Veseli thuhet:

Tryeza e sotme e përbashkët e subjekteve politike parlamentare, e mbajtur me iniciativën e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga, është një hap pozitiv në drejtim të shtensionimit të situatës politike në vend.

E përgëzoj presidenten Jahjaga për këtë inciativë të saj dhe njëkohësisht e inkurajoj që të vazhdojë edhe më tutje, që në këtë mënyrë të ndihmojë dialogun e domosdoshëm në mes pozitës dhe opozitës, në funksion të tejkalimit të situatës së krijuar.

Dialogu institucional është rruga e vetme e ecjes përpara të vendit tonë. Qytetarët e Republikës së Kosovës e presin këtë nga të zgjedhurit e tyre, përfundon deklarata.